Qeveria e Kosovës duhet të filloj dialogun e brendshëm me komunitetin serb brenda territorit të Kosovës, thotë Plator Avdiu nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS).
Rreth situatës së tensionuar gjatë ditës së mërkurë në Mitrovicën Veriore, Avdiu tha se një operacion i tillë policor do të duhej të kishte intervenim në raport me situatën.
“Këtu bëhet fjalë për një operacion i cili nuk do të duhej të lejohej nga Policia që protestues ose persona që inflirtohen në turma, të përdorin dhunë sepse kërcënohet aparati i Policisë së Kosovës në realizimin e një aksioni të thjeshtë policor, të cilat Policia i bën çdo ditë,” ka thënë Avdiu për televizionin KTV.
“Po të ndodhte një veprim i tillë në një zonë tjetër të Kosovës, padyshim se Policia do të intervenonte.”
Tutje, Avdiu tha se Qeveria e Kosovës duhet të nisë dialogun e brendshëm me serbët.
“Marrë parasysh bllokimin në dialog, Kosova duhet të mendojë se si t’i rikthejë këta qytetarë dhe t’i largojë nga ndikimi i Beogradit,” është shprehur Avdiu.