Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, e ka akuzuar partinë në pushtet, Lëvizjen Vetëvendosje, si përgjegjëse për situatën e krijuar me mungesë të energjisë elektrike së fundmi.
Nëpërmjet një postimi në Facebook, Bajrami ka thënë se si parti, derisa nuk ishte në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje ka premtuar se do ta shtetëzojë distribucionin, gjë që sipas saj, tani nuk po ndodh.
Nënkryetarja e LDK-së ka shtuar se nuk është krejtësisht i vërtetë arsyetimi se reduktimet e rrymës janë për shkak të ngarkesës.
Sipas saj, ekspertë e profesionistë të sektorit të energjisë kanë pohuar se reduktimet e rrymës po bëhen për të balancuar mungesën e prodhimit dhe të importit të energjisë elektrike për shkak të rritjes së kërkesës.
“Këto ditë kam biseduar me ekspertë të ndryshëm, profesionistë që kanë mbajtur dhe mbajnë ende pozita në institucione të sektorit të energjisë dhe ata pohojnë të njëjtën gjë se ‘Reduktimet po bëhen për të balancuar mungesën e prodhimit dhe të importit të energjisë elektrike për shkak të rritjes së kërkesës. Arsyetimi se reduktimet janë për shkak të ngarkesës nuk është krejt i vërtetë. Nëse do të ishte për shkak të ngarkesave, reduktimet do të ishin të lokalizuara në disa nënstacione të mbingarkuara, ndërsa reduktimet këto ditë janë në të gjitha vendbanimet, kryesisht në zonat rurale në Ferizaj, Gjilan, Suharekë, Rahovec, Gjakovë, Malishevë, Dragash, Fushë Kosovë etj’”, ka shkruar ajo në Facebook.(Koha.net)