Në takimin e mbajtur në Tiranë, liderët e tri vendeve themeluese të nismës “Ballkani i Hapur” kanë arritur marrëveshje të reja.
Në një konferencë për media, pas takimit të nismës për bashkëpunim rajonal “Ballkani i Hapur”, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tha detaje të reja lidhur me marrëveshjet e arritura.
Rama tha se qytetarët e të tria vendeve do të kenë “qasje të menjëhershëm dhe të barabartë për lejen e punës dhe të qëndrimit”.
“Dhe marrëveshjet në bllok për t’iu hapur rrugën të gjithë atyre që prej vitesh ndërveprojnë mes këtyre vendeve si prodhues, si eksportues e importues produktesh dhe që kanë një histori të vështirë pritjesh e verifikimesh, duke bërë të mundur që nga janari i vitit të ardhshëm të kalojnë lirisht në kufijtë dhe doganat respektive, pa pasur nevojë që të sigurojnë tre herë dokumente që lidhen me eksport-importin e produkteve të tyre bujqësore e blegtorale”, deklaroi Rama, transmeton REL.
Ndërkaq, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë konferencës për media tha se nënshkrimi i këtyre marrëveshjeve është “kurorëzim i një pune prej dy vjet e gjysmë”.
“Në fund të fundit, kjo punë që ne po bëjmë ka të bëjë me rezultate të prekshme për qytetarët tanë, të mirat që ne do ja u sjellim atyre”, shtoi ai.
Pos nikoqirit të takimit, kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, në bisedime mori pjesë edhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.
Zaev në fjalën e tij tha se falë kësaj nisme, vendet e Ballkanit Perëndimor nuk do të mbesin “peng i dështimeve të Bashkimit Evropian”.
“Kur kemi qenë së bashku me Vuçiq dhe Ramën dhe krijuam e përkufizuam këtë iniciativë, ne treguam që tri vendet tona nuk do të mbaheshin peng nga dështimet e Bashkimit Evropian sa i përket procesit tonë të integrimit në BE. Ky proces mund të ndalohet në Bruksel, por evropianizmi dhe vlerat tona evropiane në tri shtetet tona, nuk kanë arsye pse të presin”, u shpreh kryeministri Zaev.
Përmes video-lidhjes u kyç edhe komisionari i Bashkimit Evropian për Zgjerim, Oliver Varhelyi, duke i nxitur ata që ta vazhdojnë këtë nismë.