Kosova është i vetmi vend nga rajoni që nuk ka dërguar përfaqësues në takimin e radhës të iniciativës “Ballkani i Hapur” që nisi të martën në Ohër të Maqedonisë së Veriut.
Për herë të parë, Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina janë pjesë e një takimi të kësaj iniciative rajonale.
Dy kryeministrat shqiptarë, Edi Rama i Shqipërisë dhe Dritan Abazoviq i Malit të Zi, para takimit me liderët tjerë kanë takuar ambasadorin amerikan në Serbi, Christopher Hill.
Të martën në Samitin e Ohrit, Abazoviq e fut zyrtarisht Malin e Zi në iniciativën e nisur prej Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut, transmeton KOHA.
“Në margjinat e ‘Ballkanit të Hapur’, i lumtur që bisedova me kryeministrin Edi Rama dhe ambasadorin Hill. Të gjithë partnerët tanë më të rëndësishëm ndërkombëtarë janë këtu. Ballkani Perëndimor i përket Bashkimit Evropian. Mali i Zi, si lider në integrim, është i gatshëm të jetë shembull pozitiv në proces”, ka thënë Abazoviq në Twitter.
Ndërkohë, fotografinë e pesë liderëve e ka postuar në Facebook, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.