Bashkimi Evropian është duke përgatitur sanksione kundër Kosovës për shkak të mospërfilljes së kërkesave për hapa të menjëhershëm nga Qeveria e Kosovës për uljen e tensioneve në veri.
Sanksionet do të përfshijnë pezullimin e ftesave për pjesëmarrjen e Kosovës në ngjarjet e nivelit të lartë dhe vizitave dypalëshe nga Bashkimi Evropian dhe vendet anëtare, raporton REL mbështetur në burime diplomatike.
Sanksioni tjetër pritet të përfshijë punën e përbashkët të grupeve që ekzistojnë mes Kosovës dhe BE-së, e të cilat janë krijuar në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA).
Takime do të ketë vetëm kur ato duhet të zhvillohen për t’u fokusuar në adresimin e krizës në veri të Kosovës dhe hapave për gjetjen e zgjidhjes.
Do të ketë edhe pasoja financiare për Kosovën. Është planifikuar një pezullim domethënës i financimit nga ana BE-së i disa projekteve për të cilat ka dhënë propozime Kosova në kuadër të Fondit investues për Ballkanin Perëndimor.
BE, si sanksion ndaj Kosovës, ka paraparë që të ulë edhe nivelin e pranisë publike në zhvillimet dhe ngjarjet e përbashkëta ku marrin pjesë anëtarët e Qeverisë së Kosovës. Kjo masë pritet të përfshijë edhe takimet në kuadër të bashkëpunimit financiar.
Burimet diplomatike thonë se angazhimi me autoritetet e Kosovës në të gjitha këto fusha do të kthehej në nivel normal sapo që Qeveria e Kosovës të ndërmarrë hapa që BE-ja i pret në kuadër të dialogut, e të cilat janë shprehur në disa prononcime publike. Para se gjithash, janë kërkesat për tërheqjen e njësive speciale të policisë nga ndërtesat e komunave në veri dhe shpallja e zgjedhjeve të reja lokale.
.
.
.