Bashkimi Evropian u shpreh i pakënaqur me planin e publikuar të martën nga kryeministri i Kosovës Albin Kurti për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës, që përfshin organizimin e zgjedhjeve të reja në veri, pakësimin e forcave të sigurisë, dhe rifillimin e menjëhershëm të bisedimeve me Serbinë në Bruksel.
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, tha se shefi i politikës së jashtme të bllokut, Josep Borrell ka marrë një letër nga kryeministri Kurti, por nënvizoi se “deri më tani nuk kemi parë ndonjë hap të vendosur dhe të menjëhershëm nga kryeministri Kurti, të nevojshëm për shtensionimin e situatës”.
Stano në një përgjigje me shkrim dërguar Zërit të Amerikës tha se zhvillimet e fundit në veri të Kosovës vetëm sa dëshmojnë se përshkallëzimi ende vazhdon, dhe kjo është në kundërshtim me interesin e Kosovës dhe të gjithë qytetarëve të saj.
“Ne i kemi diskutuar me shtetet anëtare të Bashkimit Evropian një përmbledhje të masave që duhen marrë, nëse kryeministri Kurti nuk hedh hapat e duhur dhe të menjëhershëm për të ulur tensionet”, tha ai.
Më herët gjatë ditës kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se u ka ofruar një plan pesë pikësh diplomatëve perëndimorë për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës, që përfshinë edhe organizimin e zgjedhjeve të reja në katër komunat me shumicë serbe. Ai tha se hapi i parë është vendosja e sundimit të ligjit në veri të Kosovës, që do pasohej nga ulja e pranisë së forcave të posaçme të policisë.
.
.
.