Pas Shteteve të Bashkuara, edhe Bashkimi Evropian e ka konsideruar si “zhgënjyes” vendimin e Qeverisë së Kosovës për mos shtyrjen për disa muaj të vendimit për largimin nga qarkullimi të targave që nuk mbajnë shënimin e Republikës së Kosovës – RKS.

Me vendimin e ri të Qeverisë së Kosovës, nga 1 nëntori deri më 21 nëntor do të vlejë masa e qortimit për ata që s’i konvertojnë targat. Pastaj nga 21 nëntori deri më 21 janar do të jetë masa e gjobitjes e më pas deri më 21 prill do të ketë targa provuese. Sipas Kurtit, pas 21 prillit s’mund të ketë targa të tjera në Republikën e Kosovës.

“Kosova duhet të lejojë periudhë më të gjatë tranzicioni. Kjo ka qenë këshilla e vazhdueshme e partnerëve më të afërt të Kosovës, përfshirë BE-në dhe SHBA-në. Është zhgënjyese të shohim që s’është përfillur”, thuhet në reagimin e BE-së, transmeton KOHA.

“Kosova ka të drejtë t’i largojë gradualisht targat KM, por procesi duhet të marrë kohë në përputhje me Marrëveshjen në Dialog dhe të implementohet në mënyrë gjithëpërfshirëse e konsultative. Përderisa vendimi është hap në drejtim të duhur, nuk është në përputhje me Marrëveshjet e Dialogut, që janë obligative për të dyja palët”, thuhet në reagimin e Bashkimit Evropian.

Një ditë më parë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës thanë se janë të “zhgënjyera dhe të shqetësuara që Qeveria e Kosovës ka refuzuar kërkesat e partnerëve ndërkombëtarë për ta bërë një gjë të tillë”.

SHBA-ja më herët kishte bërë të ditur se është kërkesë e saj dhe e BE-së që Kosova ta shtyjë afatin për riregjistrim për dhjetë muaj, duke përsëritur qëndrimin e mëhershëm se Kosova ka të drejtë në vendimin e saj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *