Me gjithë përpjekjet e mëdha të Hungarisë – e cila kryeson aktualisht presidencën e BE-së – për ta shtyrë hapjen e kapitullit të tretë të negociatave të anëtarësimit të Serbisë në Bashkimin Evropian, vendet anëtare nuk kanë arritur pajtim për një gjë të tillë të hënën.

Ndërkohë, Shqipëria pritet të hapë kapituj të rinj.

Disa shtete anëtare vlerësojnë se Serbia – megjithëse ka shënuar përparim në disa fusha – nuk ka bërë mjaftueshëm për ta merituar avancimin e negociatave të anëtarësimit.

Deri më tani, Serbia ka hapur 22 nga gjithsej 35 kapituj të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Nga ata 22, ajo i ka mbyllur përkohësisht 2.

Negociatat mes Beogradit dhe Brukselit janë praktikisht të ngrira tash e tre vjet, për shkak të mosvendosjes së sanksioneve kundër Rusisë.

Komisioni Evropian, ndërkohë, ka përsëritur se Serbia i ka përmbushur kriteret teknike për hapjen e kapitullit të tretë, por në Këshill disa vende anëtare thonë se Serbia duhet të bëjë më shumë edhe në disa çështje politike.

Ndër vendet e BE-së, të cilat, sipas burimeve diplomatike, kanë qenë kundër ose kanë pasur rezerva, janë tri shtetet baltike, por edhe Holanda, Kroacia, Finlanda dhe Suedia.(REL & abcnews.al)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *