Ish-presidenti shqiptar Sali Berisha ka reaguar pas vendimit të SHBA-ve që atij nga sot i ndalohet hyrja në këtë vend.
Përmes një deklarate, Departamenti Amerikan i Shtetit e ka shpallur Berishën dhe anëtarët e ngushtë të familjes së tij të papranueshëm nga Shtetet e Bashkuara për shkak të përfshirjes në korrupsion.
Në reagimin e tij, ish-kryeministri shqiptar ka kërkuar nga Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken që të bëjë publike faktet kundër tij.
“Duke shprehur keqardhje per vendimin dhe duke e konsideruar ate pa asnje baze konkrete, ju ftoj te beni publike çdo fakt e dokument qe administrata e juaj, apo kushdo ne bote, mund te disponoje per te argumentuar pretendimin tuaj per mua dhe familjaret e mi”, ka shkruar Berisha në Facebook.
Gjatë ditës së mërkurë, sekretari Blinken njoftoi në Twitter se vendimi ndaj Berishës është marrë për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion.
“Veprimet korruptive të ish-presidentit të Shqipërisë Sali Berisha e kanë minuar demokracinë në Shqipëri. Publikisht, unë e përcaktoj Berishën dhe anëtarët e drejtpërdrejtë të familjes së tij si të papranueshëm për hyrje në Shtetet e Bashkuara. Ne mbetemi #TëBashkuarKundërKorrupsionit me partnerët tanë në Shqipëri”, ka shkruar Blinken.
Në reagimin e tij, ish-presidenti dhe ish-kryeministri shqiptar ka thënë se gjatë karrierës së tij nuk është akuzuar nga drejtësia shqiptare apo ajo ndërkombëtare.
“Gjate 30 viteve ne politike nuk ka ekzistuar kurre asnje akuze ne adrese time, nga asnje person, asnje institucion vendas apo i huaj per abuzim te fondeve publike dhe çfaredo lloj tjeter korrupsioni”, është shprehur Berisha.