Presidenti amerikan, Joe Biden, e quajti për herë të parë presidentin rus Vladimir Putin ‘një kriminel lufte’ , pasi forcat ruse goditën edhe një herë civilë në pushtimin e tyre të Ukrainës.
Biden bëri komentin në përgjigjen e tij ndaj një gazetari, i cili e pyeti nëse mendonte se Putin po kryente krime lufte.
“Po, mendoj se ai është një kriminel lufte” u shpreh Biden, transmeton Euronews Albania.
Pas kësaj deklarate, Kremlini reagoi duke e quajtur ‘një retorikë të pafalshme’.
Ndërkohë, në Moskë presidenti Putin paralajmëroi rusët kundër rusëve properëndimorë.
“Perëndimi kolektiv po përpiqet të përçajë shoqërinë tonë, duke spekuluar mbi humbjet ushtarake, për pasojat socio-ekonomike të sanksioneve – për të provokuar një konfrontim civil në Rusi dhe, duke përdorur kolonën e tij të pestë, përpiqet të arrijë këtë qëllim. Dhe synimi i tyre është një, e kam thënë tashmë këtë, shkatërrimi i Rusisë”, tha Putin.
Kritikët e Putinit thonë se fjalimi i tij ishte një paralajmërim i ashpër për një vale të re represioni ndaj atyre që kundërshtojnë regjimin e tij.