Një sondazh në Shtetet e Bashkuara ka treguar se shumë amerikanë nuk mendojnë se Presidenti Joe Biden është treguar mjaftueshëm i ashpër me veprimet e tij kundër luftës së Rusisë në Ukrainë.

Sipas një sondazhi të agjencisë së lajmeve “Associated Press” dhe Qendrës për Kërkime e Çështjeve Publike “NORC”, 54% e amerikanëve mendojnë se Presidenti Biden nuk ka qenë mjaft i ashpër në përgjigjen e tij ndaj sulmit rus në Ukrainë.

Tridhjetë e gjashtë për qind (36%) mendojnë se qasja e tij ka qenë e drejtë, ndërsa 8 për qind thonë se ai ka qenë shumë i ashpër, transmeton VOA.

Tridhjetë e dy për qind e amerikanëve thonë se Shtetet e Bashkuara duhet të ketë një rol të madh në konflikt. Kjo shënon një ulje nga 40% që mendonin në këtë mënyrë muajin e kaluar, por mbetet pak më e lartë se 26% që mendonin kështu në muajin shkurt.

Ndërkohë 49% e amerikanëve thonë se SHBA-të duhet të ketë një rol të vogël në konflikt.

Shtëpia e Bardhë ka autorizuar më shumë se 2 miliardë dollarë ndihmë në armatime për Ukrainën dhe ka udhëhequr sanksionet perëndimore që kanë dëmtuar rëndë ekonominë ruse. Presidenti Biden e ka përjashtuar mundësinë e dërgimit të trupave amerikane atje, një vendim që mbështetet nga shumica e amerikanëve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *