Presidenti amerikan Joe Biden vizitoi të martën një fabrikë për prodhimin e armëve në Alabama të Shteteve të Bashkuara.
Biden falënderoi punëtorët në fabrikën ku prodhohet arma “Javelin” dhe armët e tjera antitank të cilat po dërgohen në Ukrainë për të luftuar pushtimin nga Rusia.
“Ju po i lejoni ukrainasit të mbrojnë veten”, u tha Biden punëtorëve amerikanë në fabrikë. “Dhe t’ju them të drejtën, ata po turpërojnë ushtrinë ruse në shumë aspekte.”
Presidenti amerikan tha se prodhimi i këtyre armëve dhe dërgimi i tyre në Ukrainë po kontribuon për çështjen e lirisë.
“Secili punëtor në këtë fabrikë dhe secili taksapagues amerikan po kontribuon direkt për çështjen e lirisë,” tha Biden, transmeton USNews.
Biden bëri thirrje për miratim nga Kongresi amerikan të kërkesës së tij për 33 miliardë dollarë ndihma shtesë për Ukrainën.