Kosova ka filluar zbatimin e fazës së parë për largimin e targave ilegale të makinave, duke filluar me qortimin e atyre që nuk bëjnë regjistrimin e makinave me targat e Republikës së Kosovës.
Faza e dytë parasheh shqiptimin e gjobave dhe e treta targat provuese.
Nga 21 prilli i vitit të ardhshëm, në qarkullim do të lejohen vetëm makinat me targa që i lëshon shteti i Kosovës – RKS.
Në lidhje me këtë, Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, thotë se nga tani presioni duhet të bëhet te pala serbe për të mos kërcënuar qytetarët serbë në Kosovë për t’i regjistruar veturat me targat e shtetit të Kosovës.
“Ne besojmë fuqishëm që bashkësia ndërkombëtare tani do të bëjë presionin e nevojshëm te pala serbe që të pushojë së kërcënuari qytetarët e komunitetit serb në Kosovë, që të pushojë së manipuluari qytetarët e komunitetit serb në Kosovë dhe të fillojë të punojë në frymën e integrimit të tyre”, ka thënë Bislimi në një intervistë për REL.
Në këtë intervistë, Bislimi flet edhe për një propozim franko-gjerman për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve midis Kosovës dhe Serbisë.
Sipas tij, ky propozim parasheh zgjidhjen e kontesteve në dy faza. Ai thotë se pala kosovare i ka bërë tashmë propozimet e veta në lidhje me të dhe se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do t’ua transmetojë ato krerëve të Gjermanisë dhe Francës, në Berlin, më 3 nëntor.
Lexo më shumë këtu