Një gjykatë në Bjellorusi ka dënuar me 10 vite burgim aktivistin për të drejtat e njeriut Ales Bialiatskin.
Gjykata e dënoi aktivistin për financim të protestave të tetorit të vitit 2020.
Vitin e kaluar, 60-vjeçarit iu dha Çmimi Nobel për punën e tij në mbështetje të të drejtave të njeriut dhe demokracisë në Bjellorusi.
Zoti Bialiatski, i cili u arrestua në vitin 2021 dhe tre persona të tjerë në të njejtin proces, u akuzuan për financimin e protestave dhe futjen ilegalisht të fondeve në vend. Agjencia shtetërore bjelloruse e lajmeve Belta konfirmoi se gjykata u dha dënime të gjata me burg të gjithë të akuzuarve, përfshirë një dekadë burgim për zotin Bialiatski. Ai i mohon të gjitha akuzat ndaj tij, duke i quajtur ato të motivuara politikisht, transmeton VOA.
Zëdhënësja e Komisionerit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Ravina Shamdasani, tha gjatë një takimi në Gjenevë, se ky institucion i OKB-së është i shqetësuar nga gjyqi dhe për “mungesën e një procesi të paanshëm dhe mungesën e një gjyqësori të pavarur në Bjellorusi”.
Drejtuesja e opozitës bjelloruse, Sviatlana Tsikhanouskaya, e cila është larguar nga vendi, e quajti vendimin si “revoltues”. Ajo u shpreh në Tëitter se “duhet të bëjmë gjithçka për të luftuar kundër kësaj padrejtësie të paturpshme” dhe për lirimin e tij.