Fitorja e republikanit Donald Trump në zgjedhjet presidenciale të 5 nëntorit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka sjellë paqartësi në Evropë.
Dhe, kjo mjegulli vlen edhe për qasjen që administrata e tij do të ketë ndaj procesit të dialogut për normalizim të raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.
Njohësit e çështjeve politike në Kosovë, në Serbi dhe në Evropë, thonë se nuk presin që çështja e dialogut të Brukselit të jetë lart në agjendën e tij, kur Trump ta marrë mandatin e tij të dytë presidencial më 20 janar 2025.
Sipas tyre, para vetes ai ka tema më me prioritet, sikurse luftërat në Ukrainë dhe në Lindje të Mesme, të cilave ai është zotuar se do t’u japë fund.
Donika Emini, nga Grupi Këshillëdhënës në Evropë për Politika të Ballkanit (BIEPAG), thotë për Radion Evropa e Lirë se, pavarësisht paqartësive të krijuara rreth politikave që do të ketë Trump ndaj kontinentit evropian, “ka shumë gjasa që të ketë përfshirje aktive të SHBA-së në procesin” e dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.
Ajo, madje, pret që të ketë shtytje nga SHBA-ja dhe BE-ja për arritje të përparimit në dialog, por edhe vazhdim të presionit.
“Çështja do të kthehet sërish tek Asociacioni, çështja do të kthehet prapë te marrëveshjet që Kosova është zotuar t’i zbatojë. Mënyra se si do të navigohet në raport me Serbinë dhe Kosovën është e panjohur, mirëpo nuk pritet ndonjë ndryshim i madh në raport me presionin që i është bërë deri më tani Kosovës karshi këtyre çështjeve”, thotë Emini.
SHBA-ja dhe BE-ja vazhdimisht u kërkojnë palëve që t’i zbatojnë marrëveshjet e arritura, teksa Kosova ka vite që përballet me presion të vazhdueshëm që ta themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Dushan Janjiq, nga Forumi për Marrëdhënie Etnike në Beograd, thotë se pavarësisht që dialogu s’pritet të jetë prioritet për Trumpin, kjo nuk nënkupton që do të rrezikohet “korniza e përgjithshme” e negociatave për normalizim ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Ai deklaron për Radion Evropa e Lirë se është i sigurt që Trump do të ndërmarrë nisma “për t’i shkurtuar procedurat [e negociatave]” që kanë nisur më 2011, duke shtuar se për marrëveshjet e arritura, e që s’janë zbatuar, do të gjendet një metodë më efektive për t’i zbatuar “me nënshkrimin e marrëveshjeve individuale”.
Mospajtimet e mëparshme
Rol në shkallën e përfshirjes së administratës së Trumpit për zgjidhjen e çështjeve të hapura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të luajnë edhe ngjarjet e mëhershme, si dhe personat që ishin të përfshirë në ndërveprimin me Kosovën gjatë mandatit të parë të Trumpit si president i SHBA-së.
“Do të varet nga ajo nëse zyrtarët kryesorë që ishin të përfshirë në çështjen mes Kosovës dhe Serbisë gjatë mandatit të parë të Trumpit [2017-2020], veçmas Richard Grenell, do të marrin poste në politikën e jashtme apo do të marrin ndonjë post tjetër në administratën e re”, thotë Bodo Weber, bashkëpunëtor i lartë në Këshillin joqeveritar për Politikat e Demokratizimit në Berlin, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë.
Grenell, bashkëpunëtor i ngushtë i Trumpit, atëbotë ishte edhe i dërguar i SHBA-së për rajonin e Ballkanit Perëndimor. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte pasur një sërë mosmarrëveshjesh me Grenellin, i cili e kishte cilësuar shefin e ekzekutivit kosovar si “antiamerikan”. Ndërkaq, Kurti kishte pretenduar se emisari amerikan kishte gisht në rrëzimin e Qeverisë së tij të parë, në marsin e vitit 2020.
“Në vitin 2020 ka pasur tensione të mëdha, sidomos me Grenellin. Kështu që, të gjitha këto tensione, edhe në nivelin individual, mund të reflektojnë në politikat, në qasjen që do të ketë SHBA-ja në Evropë, dhe konkretisht në dialogun Kosovë-Serbi”, thotë Donika Emini.
Sipas saj, telashe mund të shkaktojë edhe pjesëmarrja e Kurtit në Kuvendin e demokratëve amerikanë, gjatë fushatës zgjedhore në SHBA. Por, ajo thotë se Kosovës i duhet një qasje proaktive për të naviguar në një situatë të tillë, duke shtuar se shpreson “që Kosova do të jetë konstruktive dhe që ky konstruktivitet do të reflektojë edhe në anën tjetër”.
Ndërkaq, Serbia, sipas saj, gjatë katër vjetëve të fundit ka punuar dhe ka lobuar në SHBA, dhe ka shpresuar që Trump do të kthehet në pushtet. Por, Emini konsideron se afërsia që Beogradi ka me Kinën – të cilën Trump e kritikon vazhdimisht – mund të jenë problematike.
A do të riaktualizohet shkëmbimi i territoreve?
Një tjetër çështje që mund të riaktualizohet është çështja e shkëmbimit të territoreve. Weber thotë se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, mund të “përdorë kthimin e Trumpit në Shtëpinë e Bardhë për të lobuar në SHBA për një ‘zgjidhje’ etno-territoriale”.
Kjo temë, që kundërshtohet nga Kurti, ishte shumë e diskutuar gjatë mandatit të parë të Trumpit, dhe ishte përmendur nga zyrtarë në Kosovë dhe në Serbi si mënyrë për të arritur te një marrëveshje përfundimtare.
Edhe Emini nuk e përjashton mundësinë e rikthimit të kësaj teme. Ajo thotë se të gjitha çështjet mund të jenë të hapura për diskutim, për shkak të mosthemelimit të Asociacionit apo të mospërparimit në dialog.
Trump, sipas njohësve, mund të kërkojë edhe që të zbatohet marrëveshja për normalizim ekonomik, e arritur me Kosovën dhe Serbinë në Shtëpinë e Bardhë më 2020.
Weber thotë se pret që Trump të angazhohet në Ballkan me lidhje marrëveshjesh që kanë në fokus tregtinë dhe ekonominë. (Radio Evropa e Lirë)