Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka deklaruar se të hënën në Bruksel nuk do të ketë marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë që do të nënkuptoj njohje mes dy shteteve.
“Shkurt, nesër do të nënshkruhet një marrëveshje përmes së cilës palët zotohen se do të zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani. Një marrëveshje me asociacionin në qendër, e njohjen as në periferi. Një status quo e re”, ka shkruar Çitaku në Facebook.
Të hënën, Kryeministri i Kosovës Albin Kurti do të takohet me Presidentin e Serbisë Aleksandar Vuciq nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
Nga Lidhja Demokratike e Kosovës kanë deklaruar se takimi i nesërm në Bruksel është moment vendimtar për Qeverinë e Kurtit.
Tani vendimi i nesërm do të jetë me të vërtetë një pikë vendimtare për të parë se çfarë lëvizje nga qëndrimi fillestar po bën Qeveria Kurti duke deklaruar pra në një moment që dialogu nuk është prioritet e që duhet të ketë një njohje të ndërsjellë e që s’mund të ketë një asociacion e të tjera e të tjera, në një marrëveshje që nuk është as marrëveshje përfundimtare e as nuk e ka njohjen e që mund ta ketë si pjesë e saj një asociacion pjesë të saj– çfarëdo që qeveritë pajtohen për asociacion”, ka thënë Nënkryetarja e LDK-së, Shqipe Mjekiqi.
Për dallim nga PDK-ja e LDK-ja, në AAK thonë se Qeveria nuk duhet të eksperimentojë dhe duhet ta pranojë propozimin franko-gjerman.
“Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja tashmë e kanë bërë të qartë qëndrimin e tyre. Palëve u është dhënë propozimin franko-gjerman me vërejtjen se ai nuk mund të ndryshohet, për të cilin pjesa dërrmuese e spektrit politik në Kosovë, duke përfshirë edhe Qeverinë, kanë deklaruar se kjo paraqet njohje faktike të Kosovës. Nuk është mirë të eksperimentohet dhe ne si Aleancë presim nga kryeministri të mos e nxjerrë edhe një herë Kosovën të dështuar në Bruksel, por t’i thotë PO përfundimtare propozimit Franko-Gjerman! Asnjëherë nuk ka pasur momentum më të përshtatshëm për një marrëveshje me Serbinë, që në thelb e ka njohjen. Nëse lëshohet ky rast, pasojat do të jenë katastrofike për Kosovën. Unë pres që kryeministri Kurti nuk do të gabojë këtë herë!”, ka thënë Muharrem Nitaj, sekretar i Përgjithshëm i AAK-së, transmeton KOHA.