Kosova ka bërë kërkesë për të blerë 246 armë të llojit raketë anti-tank në vlerë prej 75 milionë dollarë, ka konfirmuar Departametni amerikan i Shtetit.
“Departamenti amerikan i Shtetit shpesh ka vendosur të miratojë shitjen e huaja ushtarake për Ministrinë e Mbrojtjes ës Kosovës, për përdorimin e armëve nga Forcat e Sigurisë së Kosovës”, është thënë tutje në konfirmimin e DASH për REL.
DASH-i tha se më 11 janar administrata amerikane ka njoftuar Kongresin për propozimin e programit për Shitjet e Huaja Ushtarake (FMS) për rastin e shitjes së raketave Javelin dhe pajisjeve të tjera të lidhura me to për Kosovën.
Shitja e këtyre armëve, sipas DASH-it, mbështet “politikën e jashtme dhe objektivat e sigurisë kombëtare të SHBA-së duke përmirësuar sigurinë e Kosovës dhe zhvillimin e aftësive të saj mbrojtëse, të ndërveprueshme me NATO-n, pa ndryshuar ekuilibrin thelbësor ushtarak në rajon ose pa ndikuar në gatishmërinë mbrojtëse të SHBA-së”, tha një zëdhënës i DASH-it për Radion Evropa e Lirë.
SHBA-ja, sipas DASH-it, vazhdon të mbështesë Kosovën në transformimin “transparent të Forcës së Sigurisë së Kosovës në një forcë shumetnike për mbrojtje territoriale, të ndërveprueshme me NATO-n, që i nënshtrohet mbikëqyrjes civile”.
Sipas Agjencisë amerikane për bashkëpunim në siguri, në pakon mbrojtëse që Kosova ka bërë kërkesë të blejë, përveç 246 raketave Javelin FGM-148F – përfshirë gjashtë raketa testuese që i dërgohen blerësit kur të pranojë dërgesën – janë edhe 24 njësi për lëshimin e raketave Javelin, si dhe udhëzues të tjerë për përdorimin e raketave, dhe pajisje përcjellëse.
.
.