Marrëveshja e nënshkruar javën e kaluar mes Serbisë dhe Rusisë për “konsultime” të ndërsjella mbi çështjet e politikës së jashtme është një hap në drejtim të gabuar për Serbinë, ka deklaruar një zëdhënes i Departamentit amerikan të Shtetit.

“Lajmi për këtë marrëveshje të nënshkruar me Rusinë ishte befasues dhe në kundërshtim të plotë me takimet e tjera konstruktive në Nju Jork me zyrtarët serbë. Përafrimi i mëtejshëm me Rusinë është një hap në drejtimin e gabuar dhe në kundërshtim me aspiratat evropiane të deklaruara të Serbisë”, tha për VOA, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit.

Të premten ministri i Jashtëm serb Nikola Selakoviç nënshkroi marrëveshjen për “konsultime” të ndërsjella mbi çështjet e politikës së jashtme me ministrin e jashtëm rus Sergey Lavrov. Marrëveshja u nënshkrua ndërsa dy ministrat ndodheshin në Nju Jork për të marrë pjesë në sesionin e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Serbia, një kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian, varet nga Rusia për furnizimet e saj me gaz natyror dhe ka refuzuar t’u bashkohet sanksioneve perëndimore kundër Moskës për shkak të agresionit të saj në Ukrainë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *