Departamenti amerikan i Shtetit ka mirëpritur bisedimet e zhvilluara mes Kosovës dhe Serbisë të hënën në Bruksel.
“Takimi i djeshëm ishte një hap i mirë përpara, por mbetet një punë e vështirë. Marrëveshja mbi aneksin e zbatimit është thelbësore për normalizimin sipas propozimit të BE-së”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga DASH.
Më tutje, theksohet rëndësia e themelimit të Asociacionit.
Progresi drejt themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe mbetet kritik për ndërtimin e së ardhmes së Kosovës si një vend sovran, multietnik dhe i pavarur i integruar në strukturat euroatlantike”, thuhet në komunikatë, transmeton KOHA.
Gjatë takimit në Bruksel të hënën, Kryeminstri i Kosovës, Albin Kurti dhe Presidenti serb Aleksandar Vuçiq u pajtuan që s’ka nevojë për diskutime të mëtejme për propozimin evropian. Megjithatë, nuk u arrit ndonjë marrëveshje e nënshkruar.