Një përmbledhje të narrativave të rrejshme që prodhohen në Rusi e që cak kanë edhe Kosovën, e ka bërë organizata “Hibrid”. Dje, kjo organizatë e ka publikuar një raport, ku theksohen ngjashmëritë e dezinformatave të Serbisë kundrejt Kosovës dhe Rusisë kundrejt Ukrainës.
Kosova dhe Ukraina janë cak i lansimit të dezinformatave nga Rusia, thuhet në raportin “Krahasimi Ukrainë – Kosovë në narrativat dezinformuese të Rusisë”, i publikuar të hënën nga organizata “Hibrid”.
Hulumtuesi Festim Rizanaj ka përmendur shembuj të shumtë të luftës hibride përmes lajmeve të fabrikuara që janë përdorur ndaj Kosovës dhe Ukrainës.
Sipas Rizanajt, Rusia me pushtimin e gadishullit të Krimesë ka pretenduar që po e ndalë një gjenocid ndaj rusëve, duke u munduar ta krijojë një analogji me ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë.
“Pretendimet se masakra në Buça, Ukrainë, dhe Reçaku në Kosovë janë të inskenuara. Lavrovi pati deklaruar se në Buça u zbatua e njëjta skemë si në Reçak, duke aluduar se kanë qenë të inskenuara. Po ashtu, një nga narrativat është pjesëmarrja e kosovarëve dhe UÇK-së në luftën e Ukrainës, ku Zaharova pati pretenduar se UÇK-ja mund të jetë e pranishme në Ukrainë përmes një grupi mercenarësh, UÇK-ja mund të jetë e përfshirë edhe në trafikimin e organeve në Ukrainë”, ka thënë ai.
Rizanaj ka thënë se interesi i Serbisë në Ballkanin Perëndimor është të mbajë rajonin të tensionuar, duke penguar stabilizimin dhe konsolidimin e Perëndimit në këtë zonë, veçanërisht për të kufizuar ndikimin e SHBA-së dhe vendeve të tjera perëndimore.
Sipas tij, qasja e Rusisë përfshin shpifjen ndaj kritikeve, shtrembërimin e narrativave të padëshiruara, ridrejtimin e akuzave ndaj të tjerëve dhe frikësimin e kundërshtarëve të saj.
Filip Stojanovski nga fondacioni “Metamorphosis” ka potencuar se Rusia investon shumë para për të shpërndarë dezinformata.
Qëllimet e Rusisë, sipas Stojanovskit, janë për të penguar rrugën euroatlantike dhe mbështetjen e Ukrainës.
“Ajo që shohim janë të pranishme në të gjithë rajonin. Të gjithëve na nevojitet përgatitje më e madhe e keqinformimit. E dimë se në raporte të ndryshme investohen shumë para ruse për propaganda. Mirëpo ajo që është e rëndësishme që propaganda rritet dhe nganjëherë përdoret dhe si model. Narrativat dezinofmuese nuk kanë për qëllim që të dashurohen me Rusinë, ata punojnë me anë te frikësimit dhe provokimit. Nuk është qëllim që të bashkohemi, por të pengohet rruga evropiane dhe euroatlantike dhe ta ndihmojmë Ukrainën”, ka deklaruar ai.
Sipas këtij raporti, shtyllat kryesore të ndikimit rus në rajon janë: Serbia, Republika Sërpska në Bosnjë-Hercegovine dhe Mali i Zi.(gazetaexpress.com)