Një autobus nga Maqedonia e Veriut është përfshirë nga flakët në Bullgari duke shkaktuar vdekjen e së paku 46 personave dhe lëndimin e disa të tjerëve.
Raportohet se shumica e viktimave janë shqiptarë nga Maqedonia e Veriut, derisa po ktheheshin nga Stambolli drejt Shkupit.
Siç transmeton AlsatM, autobusi është i agjencisë “Besa Trans” e cila njihet për organizimin e vizitave turistike në kryeqytetin turk.
Sipas informacioneve të para me autobusin në fjalë udhëtonin kryesisht persona të moshës së re të cilët ktheheshin nga një ekskursion.
Drejtori i përgjithshëm i policisë bullgare Stanimir Stanev ka deklaruar se në autobusin e përfshirë nga flakët mëngjesin e së martës po udhëtonin 52 pasagjerë. Ai ka deklaruar se 50 pasagjerët kanë qenë me origjinë shqiptare ndërsa dy shoferët ishin me origjinë maqedonase.