Qëndrimet e Serbisë në Kombet e Bashkuara gjatë votimeve për të dënuar pushtimin e Rusisë ndaj Ukrainës e kanë pozicionuar atë ‘në anën e duhur të historisë’, ka thënë Ndihmës Sekretarja amerikane e Shtetit për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike Karen Donfried.
Donfried ka vlerësuar votimin e parë të Serbisë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së për të dënuar sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës.
“Edhe në një rezolutë të dytë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, një rezolutë humanitare, Serbia votoi krah Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara”, ka theksuar Donfried gjatë një interviste për VOA.
“Dhe më pas u bë votimi për të pezulluar Rusinë nga Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut. Dhe përsëri, Serbia votoi me ne.”
Diplomatja amerikane i ka bërë thirrje Serbisë që të “përputhë” qëndrimin e saj me sanskionet e vendosura nga Bashkimi Evropian ndaj Rusisë.
Kur është pyetur në lidhje me armët që Serbia ka blerë deri tani nga Rusia dhe Kina, Donfried ka theksuar se pas luftës në Ukrainë na është treguar një anë tjetër e Rusisë.
“Kur një vend merr vendime për blerjet e armëve dhe sigurisht kur mendon në këndvështrim të gjerë për marrëdhëniet me atë vend, është shumë e vështirë të imagjinosh ndonjë vend që të ketë një marrëdhënie të pandryshuar me Rusinë pas 24 shkurtit. Unë do t’i referohesha përsëri vendimeve që mori Serbia në OKB”, ka thënë Donfried.
Lexo intervitën e plotë këtu