Kryeministri britanik Boris Johnson ka dhënë të enjten dorëhqeje nga posti i tij, pas një krize politike qe gradualisht e paralizoi qeverinë britanike.
Kryeministri britanik Boris Johnson njoftoi dorëheqjen e tij, duke e pranuar se vullneti i Partisë Konservatore është që të ketë një udhëheqës të ri.
Kryeministri Johnson që hodhi poshtë thirrjet e kabinetit të tij për të dhënë dorëheqjen pas skandaleve të fundit, u dorëzua, pasi më shumë se 50 zyrtarë u larguan nga qeveria e tij duke i kërkuar dorëheqjen, transmeton VOA.
“E di se shumë njerëz do të ndihen të çliruar dhe ndoshta shumë do të ndihen të zhgënjyer. Dua ta dini sa i pikëlluar jam që të heq dorë nga puna më e mirë në botë. Por kështu erdhën gjërat”, tha Johnson në një konferencë shtypi.
Zgjedhjet e brendshme për udhëheqësin e ri të Partisë Konservatore, i cili pritet të jetë edhe kryeministër i ri i vendit, ka të ngjarë të mbahen këtë verë.
58 vjeçari Johnson arriti të qëndronte në pushtet për gati tre vite, pavarësisht pretendimeve se ai ishte shumë i afërt me donatorët e partisë, se mbronte mbështetësit e partisë nga akuzat për korrupsion dhe se mashtroi Parlamentin rreth shkeljeve të masave të izolimit gjatë pandemisë nga zyrtarë të lartë qeveritarë.