Shtetet e Bashkuara e mbështesin një propozim të përfolur franko-gjerman për të ofruar zgjidhje në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, ka deklaruar Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill.

“Ne e mbështesim këtë propozim”, tha ambasadori Hill për programin në gjuhën serbe të Zërit të Amerikës.

Megjithatë, ai nuk foli për hollësi rreth këtij propozimi për të cilin Presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka deklaruar se ekziston, derisa Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka deklaruar se nuk ka diçka përfundimtare.

“Mendoj se edhe presidenti Vuçiç edhe kryeministri Kurti janë dakord që ta shqyrtojnë atë propozim dhe të shohim se çfarë mund të bëhet”, është shprehur ambasadori amerikan në Serbi.

Ambasadori Hill tha se ka çështje që duhen trajtuar. “Nuk jam i sigurt se kur do të trajtohen, por mendoj se kjo është arsyeja pse ishte e rëndësishme që disa zyrtarë të lartë, përfshirë sekretarin tonë të shtetit, ta bënin shumë të qartë se ne duam të shohim përparim. Po ndodhin shumë zhvillime të rrezikshme në Evropë që lidhen me Ukrainën dhe ne duhet t’i trajtojmë ato dhe shpresojmë që kjo të mund të ecë përpara”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *