Sopranoja kosovare Elbenita Kajtazi arriti të jetë pjesë e finales në garën e operës dhe këngës BBC Cardiff Singer of the World.
Ky organizim mbahet çdo të dytin vit, derisa këtë herë u mbajt pa pjesëmarrjen e publikur për shkak të pandemisë Covid-19.
“Cardif singer of the World e njoh si garë që prej dhjetë vjetësh dhe gjithmonë e kam pasur synim, por gjithmonë kam hezituar duke thënë se është shumë vështirë dhe nuk mund t’ia dal”, ka thënë Kajtazi për Zërin e Amerikës.
Ajo tregoi se pasi vendosi të marrë pjesë, u përzgjodh në mesin e 16 më të mirëve, derisa gjithsej aplikime kanë qenë rreth 600.
“Unë e di që në një vend si Kosova është shumë lehtë të zhgënjehesh, edhe unë kam pasur momente të vështira, të rënda, depresive ku kam thënë se do ta ndryshoj drejtimin fare sepse nuk shkon. Por sërish sikur kam pasur diçka këtu te veshi që më ka thënë jo, nuk duhet të dorëzohesh”, ka treguar Kajtazi, duke i bërë thirrje secilit që të mos dorëzohen në arritjen e ëndrrave.
Në planet e saja, sopranoja nga Mitrovica ka edhe pjesëmarrjen në festivalin Remusica që pritet të mbahet në muajin shtator.