I dërguari i Shteteve të Bashkuara, Gabriel Escobar, deklaroi se Kosova dhe Serbia arritën një marrëveshje “të vështirë, por të nevojshme”.
Pas rundit të dialogut të zhvilluar në Ohër të Maqedonisë së Veriut, në të cilin Escobar mori pjesë në cilësinë e vëzhguesit, zyrtari i lartë amerikan tha se arritja e pajtimit për zbatimin e propozimit evropian mundëson që Kosova dhe Serbia të ecin drejt integrimeve euroatlantike.
“Dua të uroj palët për arritjen e një marrëveshjeje të vështirë, por të nevojshme për të arritur një marrëdhënie paqësore dhe të parashikueshme midis tyre. Kjo jo vetëm që hap derën për integrime më të mëdha euroatlantike për të dyja shtetet, por hap derën edhe për rajonin për të hyrë në një epokë të re të paqes”, tha ai.
Kur u pyet se pse liderë e Kosovës dhe Serbisë nuk e nënshkruan marrëveshjen, Escobar tha i beson mekanizmit të Bashkimit Evropian për zbatimin e aneksit të propozimit evropian për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.
“U jam falënderues partnerëve tanë evropianë që na sollën në këtë pikë dhe jam mirënjohës edhe ndaj dy liderëve që kishin guximin politik për të arritur atë që arritën sonte”, tha Escobar. / REL /