Shtetet e Bashkuara presin nga qeveria e Kosovës të angazhohet plotësisht në bisedimet me Serbinë dhe ta kuptoj se për të arritur qëllimin duhet të ketë kompromis, ka thënë i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
“Ne kemi qenë shumë të qartë me Qeverinë e Kosovës, se ne presim që ata të angazhohen plotësisht në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja dhe t’i shohin bisedimet si negociata të vërteta, për të arritur qëllimin kryesor të tyre – që është njohja e ndërsjellë me Serbinë, njohja nga pesë shtetet e BE-së dhe anëtarësimi në të gjitha organizatat ndërkombëtare, ku duan të anëtarësohen”, ka thënë Escobar të mërkurën.
Escobar u shpreh kështu para Nënkomitetit për Punë të Jashtme të Senatit amerikan, ku foli për angazhimin dhe strategjinë e Uashingtonit në Ballkanin Perëndimor.
Ai tha se për të arritur qëllimin Kosova ta dijë se do t’i kërkohet kompromis.
“Kjo do të kërkojë kompromis dhe ne kemi qenë shumë të qartë. Ambasadori ynë i ri [në Kosovë], Jeffery Hovenier, e ka bërë këtë shumë të qartë gjatë takimeve të tij të para me Qeverinë Kurti dhe ai do të vazhdojë ta bëjë këtë, e ne do të vazhdojmë ta mbështesim atë”, tha Escobar, transmeton REL.
Lexo më shumë këtu