I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, është takuar të mërkurën në Prishtinë me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

Vizita e të dërguarit amerikan vjen në kohën kur po përflitet për një shtim të ritmit të procesit të bisedimeve Kosovë-Serbi pas një nisme franko-gjermane për një marrëveshje mes palëve.

“Diskutuam edhe për çështjen e marrëdhënieve me Serbinë, ndikimet rajonale të këtij dialogu, rëndësinë për të vazhduar mbështetjen amerikane për pavarësinë, sovranitetin dhe sigurinë tuaj, dhe rëndësinë që të rreshtoheni me vlerat evropiane në këtë kohë shumë të rëndësishme krize në kontinentin evropian”, tha Escobar të mërkurën, transmeton VOA.

Ndërkohë, Kryeministri Kurti deklaroi se Kosova gjithmonë e mirëpret angazhimin e SHBA-ve në procesin e dialogut.

“Jemi të gatshëm dhe të përkushtuar për arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme për normalizim të plotë të marrëdhënieve me njohjen reciproke në qendër”, është shprehur Kurti.

Ndërsa, Presidentja Osmani pas takimit me Escobar tha se i ka “shprehur shqetësimin dhe pakënaqësinë tonë për moszbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara nga ana e Serbisë duke përfshirë në veçanti refuzimin e vazhdueshëm nga ana e tyre për shpërbërjen e strukturave ilegale dhe kriminale të cilat vazhdojnë t’i kërcënojnë dhe frikësojnë serbët e Kosovës dhe udhëhiqen nga individë të sanksionuar nga qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *