Në krahasim me vitin 2003, popullsia e Kosovës është tkurrur për 10,2% kanë treguar të dhënat e publikuara nga Eurostat për ecurinë e popullsisë së Evropës që nga vitet 1960 me rastin e ditës botërore të popullsisë.
Sipas Eurostat, në vitin 2022, popullsia e Shqipërisë zbriti në 2.79 milionë banorë, që është niveli më i ulët që nga viti 1982. Në tkurrje është dhe popullsia e Kosovës, që është tkurrur për 10.2%, në krahasim me vitin 2003, kur raportohen për herë të parë të dhënat, transmeton KOHA.
Në bazë të këtyre të dhënave, Shqipëria renditet në vendin e katërt në Evropë, pas Bullgarisë, Rumanisë e Kroacisë për renien e popullsisë së tyre në përqindje në krahasim me fillim vitet 1990.
Bullgaria ka shënuar një tkurrje, me -21.1, Kroacia (-18.9) dhe Rumania (-17.9). Sipas shifrave të Eurostatit, popullsia e Serbisë, në raport me vitin 1995 (kur u nda nga Mali i Zi) ka rënë me gati 11%, ndërsa ajo e Malit të Zi me 2.4% për të njëjtën periudhë.
Popullsia e Maqedonisë së Veriut rezulton me një tkurrje të lehtë prej më pak se 3%, por prej kohësh në këtë vend ka debat lidhur me censin e popullsisë dhe numrin real të saj.