Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve (IFJ) ka pezulluar në mënyrë të menjëhershme Unionin rus të Gazetarëve, lidhur me veprimet e tij që kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës dhe për rolin që ka luajtur sa i përket territoreve të aneksuara ukrainase.

Votimi u zhvillua pasi Unioni rus i Gazetarëve refuzoi të rishqyrtonte vendimin që të themelonte degë të tij në katër rajone të aneksuara nga Rusia, tha IFJ.

“Veprimet e Unionit rus të Gazetarëve për të themeluar katër degë në territoret e ankesuara ukrainase qartësisht kanë thyer…. solidaritetin dhe kanë nxitur ndarje në mes të unioneve simotra”, tha presidenti i IFJ-së, Dominique Pradalié, transmeton REL.

Në shtatorin e vitit të kaluar, Kremlini në mënyrë të paligjshme aneksoi rajonet ukrainase të Donjeckut, Luhanskut, Hersonit dhe Zaporizhjës.

IFJ, që përfaqëson mbi 600.000 punëtorë të mediave në mbarë botën, tha se anëtarësimi i Unionit rus është pezulluar pas është bërë një hetim dhe është votuar për pezullim në komitetin ekzekutiv më 22 shkurt.

IFJ tha se do të vazhdojë të mbështesë gazetarët e pavarur brenda dhe jashtë Rusisë dhe shtoi se do të ndihmojë edhe gazetarët ukrainas.

Sipas IFJ-së, Ukraina ishte shteti më vdekjeprurës për gazetarët më 2022, pasi 12 punëtorë të mediave u vranë duke kryer punën e tyre.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *