shkruan Blerim Shala për klankosova.tv

Në harkun kohor 2017-2021, për 45 muaj, në Kosovë janë mbajtur tri palë zgjedhje parlamentare, që të gjitha të parakohshme, dhe janë krijuar katër qeveri me katër kryeministra dhe me katër formula koalicionesh.

Megjithëse skena politike kosovare u përball si duhet me këtë test a sprovë të qëndrueshmërisë së demokracisë (se pa zgjedhje të lira dhe të rregullta nuk ka demokraci), duket që pas një periudhe kur votimet për pushtetin qendror mbaheshin shpesh, u bë mirë që kësaj here do të kalojnë katër vjet të plota në mes të dy votimeve: Atij të 14 shkurtit të vitit 2021 dhe këtij të ardhshmit, të 9 shkurtit të vitit 2025.

Politika kosovare ka pasur nevojë për një katërvjeçarë të zakonshëm zgjedhor.

Të gjitha partive relevante politike në Kosovë iu dasht një cikël olimpik (nëse kështu mund të thuhet), për të kuptuar ku janë dhe çfarë mund të bëjnë me identitetin e tyre parësor, kur ushtrojnë një pushtet të plotë (siç ishte rasti me Lëvizjen ‘Vetëvendosje’ të Kryeministrit Albin Kurtit), ose kur dashtë e pa dashtë, për rrethana të njohura për të gjithë, u obliguan të merren me zëvendësimin e lidershipit të mëparmë (PDK, LDK), ose edhe me synimin për tu mëkëmbur sërish (AAK).

Zgjedhjet e 14 shkurtit të vitit 2021, ndryshuan me themel politikën kosovare pas fitores së pashoqe parlamentare të Lëvizjes ‘Vetëvendosje’, të cilës iu pati bashkangjitur Lista ‘Guxo’ e Vjosa Osmanit, e cila u bë më pas Presidente e Kosovës.

Ishte kjo një ftesë për ndryshim substancial të partive tradicionale të Kosovës, të cilat ishin ndërruar në udhëheqjen me vendin dhe me shtetin.

Por a ia kanë dalë PDK, LDK dhe AAK t’i adaptohen rrethanave krejtësisht të reja politike në vend, dhe sa kanë arritur ato ta ri-vendosin një lidhje të mirëfilltë me qytetarët e Kosovës (të cilët me votën e tyre e ndanë katër vjet më parë në dysh këtë politikë, duke ia dhënë gjysmën e pak më shumë të votave ‘Vetëvendosjes’, e më pak se gjysmën e votave të gjitha subjekteve të tjera politike), kjo do të kuptohet vetëm me 9 shkurt të vitit të ardhshëm.

Në anën tjetër, kësaj here do ta kemi një dukuri të cilën realisht për herë të mbramë e kemi pasur njëzet vjet më parë, para zgjedhjeve parlamentare në vitit 2004.

Pra, kemi të bëjmë me një fushatë të rregullt zgjedhore, dhe me procedurat e zakonshme të cilat aplikohen në KQZ për votimet e këtij lloji.

Në të vërtetë, edhe në nëntorin e vitit 2007 kemi pasur zgjedhje të rregullta, në atë ciklin votues që në kohën e UNMIK-ut njihte trevjeçarin si njësi matëse kohore.

Por, vjeshta e vitit 2007 ka qenë kryekëput e lidhur me finalen e negociatave për statusin e Kosovës, prandaj, fushatë të mirëfilltë zgjedhore nuk kishte, kur dihej që të gjitha subjektet parlamentare (LDK, PDK, AAK dhe ORA e Veton Surroit), ishin pjesë e procesit të zbardhjes së statusit të Kosovës, dhe kur interesi sipëror i të gjithë liderëve dhe entiteteve të tyre politike përkonte me shpalljen e pavarësisë së Kosovës.

Zgjedhjet e vitit 2007, para dhe mbi të gjitha krijuan Kuvendin e Kosovës i cili do ta shpallë Kosovën shtet të pavarur me 17 shkurt të vitit 2008.

Ky ishte rezultati më i rëndësishëm i votimeve të treta parlamentare në kohën e Administrimit ndërkombëtar mbi Kosovën.

Pra, u dashtë të kalojnë njëzet vjet të plota, në distancën kohore 2004-2024, për të mbërri në këtë vjeshtë kur do të jemi dëshmitarë të një fushate për zgjedhje të rregullta, e cila do të duhej të zgjate tridhjetë ditë të plota.

Por, çfarë po shohim përditë e më shumë është që subjektet tona politike tash e sa kohë janë, si thuhet, në vlugun e para-fushatës joformale, e cila, së paku në këtë formën dhe përmbajtjen e tanishme, është dukuri që po shënohet për herë të parë në historinë e demokracisë parlamentare në Kosovë.

Fushatat e mëparme, për shkak të shpeshtësisë së organizimit të zgjedhjeve të përgjithshme, gati se u patën shndërruar në rite rutinore politike.

Kësaj here, të pamësuara me një ritëm të zakonshëm të përgatitjes për votimet për pushtetin qendror, (më parë gjithçka është bërë shpejt e shpejt), entitetet politike e kanë sosur që ta shfrytëzojnë çdo ditë të lume deri me 9 shkurt të vitit 2025, për të arritur rezultat sa më të mirë në këto zgjedhje.(klankosova.tv)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *