Udhëheqësit e vendeve të Grupit të Shtatëshes rikonfirmuan mbështetjen e tyre të palëkundur dhe solidaritetin me Ukrainën të hënën, duke u zotuar të plotësojnë nevojat e saj urgjente për paisje ushtarake për t’u mbrojtur nga agresioni i Rusisë.
Në një deklaratë të qarkulluar nga Shtëpia e Bardhë, G-7 dënoi “sulmet e vazhdueshme çnjerëzore dhe brutale të Rusisë ndaj infrastrukturës jetike, në veçanti rrjeteve të energjisë dhe ujit në qytetet në mbarë Ukrainën”.
Deklarata i quan këto sulme krime lufte dhe dënoi ata që “mbështesin luftën e paligjshme të Putinit”.
Deklarata vjen vetëm një ditë përpara takimit të G-7 në Paris me tematikë rindërtimin e Ukrainës pas luftës. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky mori pjesë në takimin virtual. / VOA /