Unioni i Gazetarëve në Shqipëri ka reaguar ndaj sjelljes së fundit të Kryeministrit shqiptar Edi Rama i cili të premten refuzoi t’i përgjigjej pyetjes së një gazetari dhe i tha se nuk është i mirëseardhur në konferencat për shtyp.
“Unioni i Gazetarëve Shqiptarë reagon ndaj rasteve të tilla dhe i kërkon kryeministrit të Republikës të ndërpresë masa të tilla penalizimi për gazetarët, për shkak të pyetjeve që ata i bëjnë. Unioni i Gazetarëve Shqiptarë do të dëshironte që praktika të tilla të refuzohen menjëherë, madje edhe të anullohen si rasti i fundit”, thuhet në reagim.
Kryetari i UGSH, Aleksandër Çipa, tha se ndërhyrja e kryeministrit dje ishte një akt i përsëritur penalizimi të gazetarit për shkak të pyetjes, gjë që bie ndesh me legjislacionin shqiptar për të drejtën për t’u informuar dhe shënojnë rënie të lirisë për informim, transmeton VOA.
Kryeministri Edi Rama refuzoi t’i përgjigjej të premten pyetjes së gazetarit Klevin Muka, me shpjegimin se ai kishte bërë një pyetje joetike.
“Do të kalosh në riedukim, si Ambrozia, për 3 muajt e ardhshëm. Nuk je i mirëseardhur në asnjë konferencë shtypi. Për pyetje të përsëritura, pa asnjë etikë, ka një proces që quhet riedukim. 3 muaj. Përgjigjen e radhës do ta marrësh pas 3 muajsh në tetor” është shprehur Rama.
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë deklaroi se ndëshkime të tilla janë të pazakonta dhe të panjohura në komunikimet e udhëheqësve të shteteve me gazetarët dhe me mediat.