Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka filluar seancën dëgjimore ku Ukraina paraqet argumentat e saj verbale kundër Rusisë.
Ukraina i ka kërkuar gjykatës të marrë masa paraprake duke e urdhëruar Rusinë të ndalë të gjitha operacionet ushtarake në këtë vend.
Rusia ka vendosur të mos përfaqësohet me juristët e saj në këtë seancë të gjykatës më të lartë të Kombeve të Bashkuara.
“Gjykata mblidhet sot për të dëgjuar argumentat verbale të Ukrainës mbi kërkesën e saj për vendosje të masave paraprake në çështjen për akuzat e gjenocidit, sipas Konventës për Parandalimin dhe Ndëshkimin e Krimeve të Gjenocidit. Ukraina kundër Federatës Ruse”, tha presidentja e GJND-së, gjykatësja amerikane Joan E. Donoghue.
Siç transmeton VOA, seanca dëgjimore vazhdoi edhe pa pjesëmarrjen e delegacionit rus.
Procesi në Pallatin e Paqes të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, do të zgjasë dy ditë, gjatë të cilave Ukraina paraqet argumentat e saj verbale të hënën dhe Rusia ka mundësinë të përgjigjet të martën.