Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka folur para deputetëve të Kuvendit për 100 ditët e qeversijes së kabinetit të tij.
“Gjatë këtyre 100 ditëve kemi patur zero afera korruptive”, ka thënë, ndër të tjera, Hoti në fjalimin e tij.
Duke përmendur prioritetet e Qeverisë së drejtuar nga ai, Hoti ka thënë se Kosova është shembull se si është përballur me pandeminë Covid-19.
“Kosova është hequr nga lista e vendeve të rrezikshme. Ata persona që i kanë shtrembëruar të dhënat e numrit të të infektuarve për ta nxjerrë vendin e tyre keq, sot duhet të turpërohen”, është shprehur Hoti.
Gjatë tre muajve të fundit, sipas Hotit, qeveria e tij ka arritur të rivendosë marrëdhëniet e ngushta me vendet mike, SHBA-në dhe me vendet kryesore të BE-së, të cilat, siç tha ai “ishin lënduar nga qasja e papërgjegjshme e qeverisë së mëparshme.”
Ndërkohë, Kryeministri Hoti është larguar nga salla e Kuvendit dy herë derisa po kritikohej nga deputetë opozitar të Lëvizjes Vetëvendosje.
Shefi i Grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, e ka quajtur Qeverinë Hoti, “Qeveri koti”, për 100 ditët e para të kësaj qeverie. Ndërkohë, Deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se vlera më e madhe e Qeverisë Hoti është ad-hocizmi, dhe se nuk ka plan e as strategji.