Pas takimit të sotëm me Presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, në Bruksel, Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti tha se ky ishte një takim i vështirë.
Ai njoftoi se është biseduar për çështjen e të pagjeturëve dhe për zhvillimin ekonomik.
Hoti tha se dy vendet janë futur në fazën finale të bisedimeve.
“Ka qenë takim i vështirë. Qëndrimin tonë e kam prezantu në këtë takim dhe nuk do të lëvizë asnjëherë nga ai qëndrim. Kjo është faza finale e përmbylljes së çështjeve të hapura me Serbinë”.
Sipas tij Kosova është në fazën përfundimtare të përmbylljes së marrëveshjes me Serbinë, dhe i gjithë procesi, sipas tij do të mbyllet për disa javë ose muaj, por jo më shumë, transmeton Radio Evropa e Lirë.
Ky është takimi i parë i drejtëpërdrejtë ndërmjet përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë, në kuadër të dialogut të Brukselit, pas mëse 20 muajsh. Takimi i radhës në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi do të mbahet gjatë muajit shtator.