Drejtuesi i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka paralajmëruar se do të ketë rezistencë ndaj Kryeministrit Albin Kurti pasi ky i fundit, sipas Hoxhajt, po ecën “drejt autokracisë”.
“Mbyllja e qytetarëve dhe ekonomisë, dështimi i sigurimit të vaksinave, zhvendosja nga problemet reale të qytetarëve të Kosovës në zgjedhjet elektorale të Shqipërisë, paraqitja e Kosovës si shtet i dështuar e kriminal në OKB dhe së fundmi, kërcënimi arbitrar e autoritar i mediave të pavarura dhe fjalës së lirë, shpërfaqën edhe një herë me radhë atë që ne kemi thënë gjithmonë se çfarë përfaqëson realisht Albin Kurti dhe mendësia e tij”, ka shkruar Hoxhaj në Facebook.
Ai ka thënë se këta janë hapa të paramenduar drejt autokracisë së Kurtit.
“Ne do t’i rezistojmë kësaj tendence në çdo hap”, ka paralajmëruar Hoxhaj.