Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokartike të Kosovës, Skender Hyseni, ka takuar të martën në Washington emisarin e posaçëm të SHBA-së për dialogun Kosovë – Serbi, Richard Grenell.
Përmes një postimi në Facebook, Hyseni ka njoftuar se gjatë takimit “të gjatë” me zyrtarin amerikan është biseduar për çështjen e tarifës ndaj Serbisë, dhe se është kërkuar heqja e saj.
Më poshtë, lexoni postimin e plotë të Hysenit:
Sot pata një takim të gjatë me Ambasadorin Richard Grenell në Shtëpine e Bardhë në Washington
Me autorizimin e Kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës Isa Mustafa, sot, në cilësinë e anëtarit të Kryesisë dhe Sekretarit për Marrëdhënie Ndërkombëtare të LDK-së, u prita në Shtëpinë e Bardhë në Washington nga i Dërguari i Posaçem i Presidentit Trump, Ambasadori Richard Grenell.
Gjatë një takmi të gjatë dhe shterrues, bisedën e përqëndruam në aspekte të veçanta të zhvilimeve në Kosovë dhe rajon.
I përkushtuar fuqishëm për të çuar Kosovën dhe rajonin përpara drejt një zhvillimi dinamik ekonomik, Shtëpia e Bardhë dhe Ambasadori Grenell kërkojnë me ngulm heqjen e menjëhershme dhe pa kushte të tarifës ndaj mallrave nga Serbia, që t’i hapet rrugë dialogut Kosovë-Serbi i cili duhet dhe do të përmbyllet me njohje të ndërsjellë.
Amerika është aleat i palëkundshëm i Kosovës dhe popullit të saj dhe mbetet fuqishem e përkushtuar ndaj interesave jetike të saj.
Por, Amerika nuk mund ta mbrojë Kosovën nga vetvetja, përkatsisht nga sjelljet e papërgjegjshme të Qeverisë dhe liderëve të saj, ishte mesazhi i Ambasadorit Grenell, duke shtuar se Amerika nuk mund të vazhdojë të shpenzojë qindra miliona dollarë për ushtri dhe ndihma e projekte tjera në një vend ku qeveria punon kundër interesave të qytetarëve të saj.
E sigurova Ambasadorin Grenell se për LDK-në dhe popullin e Kosovës, partneriteti strategjik dhe miqësia e veçantë me SHBA-të janë të shenjta dhe të pazëvendësueshme.
LDK kurre nuk do te lejojë qe ky partneritet të prishet.
LDK mbetet e përkushtuar dhe e vendosur që të koordinohet dhe harmonizohet ngushtë me SHBA-të në çdo fushë.
LDK pajtohet dhe mbron qendrimin që tarifa të hiqet menjëhere dhe pa kushte, ashtu siq kërkohet nga Presidenti Trump.
Partneriteti me Amerikën nuk ka alternative.