Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë i ka propozuar Ministrisë së Shëndetësisë që të konsdierojë dhënien e vaksinës së tretë kundër Covid-19 për qytetarët e vendit.
Ka qenë Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia që ka folur të mërkurën rreth këtij propozimi.
“Do të kemi në konsideratë edhe administrimin e dozës së tretë sipas rekomandimeve të fundit që na kanë ardh nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, kurdo që shihet kjo e domosdoshme, sidomos kjo vlen për grupet më të ndjeshme të popullatës”, ka thënë Vitia, transmeton Gazeta Express.
Ai ka njoftuar se ministria që drejton ka filluar negocimin me kompanitë prodhuese të vaksinës për sigurimin e tyre për vitin e ardhshëm.
Vitia gjithashtu njoftoi se “janë administruar rreth 4 mijë doza te gratë shtatzëna dhe nënat gjidhënëse”.
Ministri Vitia tha se aktualisht në stoqe janë edhe 600 mijë vaksina, andaj edhe u ka bërë thirrje qytetarëve që të caktojnë terminet e të vaksinohen.