Enti i Statistikave Turke ka njoftuar të mërkurën se inflacioni në vend ka arritur normën vjetore prej 79.6 për qind.
Ky është niveli më i lartë në 24 vjetët e fundit dhe po ndodh për shkak të dobësisë së vazhdueshme të lirës dhe kostove të larta globale të energjisë dhe lëndëve të para.
Inflacioni në Turqi filloi të rritet vjeshtën e kaluar, kur lira ra ndjeshëm pasi Banka Qendrore uli gradualisht normën bazë të interesit me 500 pikë bazë në 14 për qind në një cikël lehtësimi monetar të kërkuar nga presidenti Recep Tayyip Erdogan, transmeton KOHA.
Rritjen më të lartë vjetore të çmimeve të konsumit e ka shënuar sektori i transportit, prej 119.11 për qind, ndërsa çmimet e ushqimeve dhe pijeve joalkoolike janë rritur me 94.65 për qind.