Komisioni irlandez për Mbrojtjen e të Dhënave gjobiti të mërkurën me 390 milionë euro kompaninë Meta, që përfshin rrjetet Facebook dhe Instagram për shkelje të privatësisë në internet. Po kështu ky autoritet e ndaloi kompaninë që të detyrojë përdoruesit evropianë, të pranojnë reklama të personalizuara bazuar në aktivitetin e tyre në internet.

Masa ndëshkimore mund të trondisë modelin e të bërit biznes të kompanisë Meta, sipas të cilit përdoruesve u serviren reklama bazuar në atë çka bëjnë në internet.

Mbikëqyrësi irlandez e gjobiti Meta-n me 210 milionë euro për shkelje të rregullave strikte të Bashkimit Europian lidhur me çështje të privatësisë që përfshijnë Facebook-un dhe me 180 milionë euro të tjera për shkelje në Instagram, transmeton VOA.

Kjo është masa më e fundit ndëshkimore e vendosur nga ky komision ndaj kompanisë Meta, pas katër gjobave të mëparshme, që nga viti 2021 që arrijnë në vlerën e mbi 900 milionë eurove.

Vendimi rrjedh nga ankesat e depozituara në maj 2018, me hyrjen në fuqi të rregullave të privatësisë së 27 vendeve të BE-së, të njohura si Rregullorja e Përgjithshme e Mbrojtjes së të Dhënave.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *