‘Janë tri veprime të Serbisë që kanë mbetur të pandëshkuara nga BE’
Ish-kryeministri i vendit e tani deputet nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka shpërndarë fjalën e tij të mbajtur në Parlamentin Evropian, në mbledhjen e përbashkët të Komisionit Parlamentar për Stabilizim dhe Asociim BE-Kosovës, shkruan Gazeta Express.
Hoti, ka potencuar se dialogu dhe fqinjësia e mirë janë vlera evropiane, dhe se nuk ka rrugë tjetër përveç zbatimit të standardeve evropiane.
Pos kësaj, deputeti i LDK-së, ka theksuar edhe tri veprime që janë bërë nga Serbia e që vazhdojnë të jenë të pandëshkuara nga ana e BE-së. Këtu, Hoti, ka thënë se janë përfshirja e institucioneve shtetërore serbe në sulmet terroriste në veri të Kosovës; Presioni i vazhdueshëm i Serbisë ndaj komunitetit serb në Kosovë; dhe, shlyerja e vazhdueshme e adresave të banimit nga regjistri civil për shqiptarët në Luginën e Preshevës.
Po ashtu, ish-kryeministri i Kosovës, ka hedhur kritika edhe për qeveritë e të dy vendeve, duke thënë se dialogu mes Kosovës e Serbisë gjatë katër viteve të fundit s’ka prodhuar asnjë rezultat.
‘‘Dialogu gjatë periudhës 2021-2024 nuk ka prodhuar asnjë rezultat konkret. Gjatë kësaj periudhe, palët negociuese pajtoheshin në takimet e mbyllura, ndërkaq sapo dilnin në publik mohonin çdo gjë. Kjo ka qenë qasja e përhershme e palës serbe në dialogun e ndërmjetësuar nga Brukseli, por së fundmi edhe pala kosovare po sillet njësoj’’, ka thënë ai mes tjerash.(gazetaexpress.com)