Ish-ministrja kosovare e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha, është deklaruar e pafajshme në aktakuzën e prokurorisë për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.
Në shqyrtimin fillestar të mbajtur të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Ilirjana Çollaku, ish-minstrja dhe të akuzuarit e tjerë u deklaruan të pafajshëm.
Ky rast po gjykohet nga gjykatësi i Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Arben Hoti, transmeton Betimi për Drejtësi.
Aktakuza ndaj Hoxhës dhe të tjerëve është ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), më 7 korrik 2021.
Ish-ministrja Hoxha, ish-sekretari Cukaj dhe Mustafa po akuzohen se në vazhdimësi kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, paragrafi 2 lidhur me nenin 77 paragrafi 1 të KPRK-së.
Kurse, Shasha dhe Osmani po akuzohen se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’ nga neni 414, paragrafi 2 të KPRK-së.