Përfaqësuesit shqiptarë të Luginës së Preshevës kanë kërkuar nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, që të ketë koordinim të politikës shqiptare gjatë dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

“Në takim me Presidenten e Republikës së Kosovës, SH.S. Vjosa Osmani, biseduam per procesin e regjistrimit të popullsisë, diskriminimin dhe domosdoshmërinë e përfshirjes së Luginës së Preshevës ne bisedimet me Serbisë”, ka thënë deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi.

“Koordinimi i politikës shqiptare në Luginë të Preshevës me institucionet e Republikës së Kosovës dhe Shqipërisë është rruga e vetme e mbrojtjes së interesave shqiptare në Luginë”, ka deklaruar Kamberi pas takimit me Presidenten Osmani në Prishtinë.

Ndërkohë, Osmani ka njoftuar se gjatë takimit me përfaqësuesit nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja është biseduar edhe për regjistrimin e popullsisë në Serbi.

“Pjesëmarrja sa më masive e shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit e Medvegjës në regjistrimin e popullsisë është kundërpërgjigje paqësore kundër politikës shoviniste të Serbisë, e cila po përpiqet të realizojë spastrim etnik nëpërmjet masave administrative”, ka deklaruar Osmani.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *