Serbia ka marrë përgjigje nga KFOR-i në kërkesën e saj për futje të një numri të ushtarëve serbë në territorin e Kosovës.
Ministria serbe e Mbrojtjes ka bërë të ditur se të premten mbrëma i është dorëzuar përgjigja nga përfaqësues të KFOR-it në pikëkalimin kufitar në Merdare.
Pa dhënë detaje të tjera, Ministria e Mbrojtjes e Serbisë ka thënë se letrën ia ka dorëzuar presidentit Aleksandar Vuçiq.
Më 16 dhjetor, Serbia pati dorëzuar kërkesën te KFOR-i për kthim të 1000 ushtarëve të vet në Kosovë. Serbia pati thënë se po kërkon kthimin e ushtrisë për “mbrojtje të serbëve të Kosovës”, në kohën e tensioneve pas vënies së barrikadave në veri të Kosovës.
KFOR-i ka konfirmuar se i ka kthyer përgjigje Serbisë, megjithatë zëdhënësi ka refuzuar të japë detaje për përmbajtjen.
“Si KFOR, mundemi ta konfirmojmë që përgjigja i është dërguar ushtrisë serbe”, ka thënë një zëdhënës i KFOR-it duke shtuar se për përmbajtjen duhet të pritet ende, transmeton KOHA.