KFOR-i ka njoftuar se është duke ndërmarrë masat e veta për uljen e tensioneve në pikat kufitare në veri të Kosovës.
Komandanti i misionit paqerëjutës, gjeneral major Franco Federici ka thënë të hënën se KFOR-i ka rritur patrullimet përgjatë rrugëve kryesore, të prekura nga bllokadat, dhe duke vendosur njësitë e tij në vendkalimet kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak.
Siç transmeton REL, Federici tha se masat e ndërmarra në veri të Kosovës kanë për qëllim “uljen e shpejtë të tensioneve”, si dhe “rivendosjen e mjedisit të sigurt” dhe të “lirisë së lëvizjes për të gjitha komunitetet”.
Serbët lokalë i kanë bllokuar këto dy pika kufitare që gjenden në veri të Kosovës qysh më 20 shtator, kur Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për vendosjen e masave të reciprocitetit ndaj automjeteve me targa të Serbisë.