Kina ka ofruar një propozim prej 12 pika, përmes të cilit pretendon se mund t’i jap fund luftës në Ukrainë.
Dokumenti i bën jehonë pretendimeve ruse se qeveritë perëndimore janë fajtore për nisjen e luftës së 24 shkurtit 2022 dhe kritikon sanksionet ndaj Rusisë, raportoi Associated Press.
Qeveria kineze e presidentit Xi Jinping ka përsëritur pretendimin e Kinës për të qenë neutrale, pavarësisht bllokimit të përpjekjeve në Kombet e Bashkuara për të dënuar pushtimin.
Propozimi i Kinës kërkon një armëpushim dhe bisedime paqeje, si dhe fund të sanksioneve kundër Rusisë, transmeton KOHA.
Kina vendosi përgjegjësinë për sanksionet mbi “vendet e tjera përkatëse” pa i përmendur ato. Këto vende, thuhet në propozim, “duhet të ndalojnë abuzimin e sanksioneve të njëanshme” dhe “të bëjnë pjesën e tyre në de-përshkallëzimin e krizës në Ukrainë”.
Shumë nga 12 pikat janë shumë të përgjithshme dhe nuk përmbajnë propozime specifike.
Pa përmendur Rusinë apo Ukrainën, Kina thotë se sovraniteti i të gjitha vendeve duhet të ruhet. Ajo nuk ka specifikuar se si do të dukej sovraniteti për Ukrainën dhe tokën e marrë prej saj, që kur Rusia pushtoi Krimenë në 2014.
Propozimi po ashtu dënon “mentalitetin e Luftës së Ftohtë”, një term që shpesh i referohet Shteteve të Bashkuara dhe aleancës ushtarake SHBA- Evropë-NATO.
“Siguria e një rajoni nuk duhet të arrihet duke forcuar apo zgjeruar blloqet ushtarake”, thuhet në propozim.
Presidenti rus Vladimir Putin kërkoi një premtim se Ukraina nuk do të bashkohet me bllokun, para nisjes së pushtimit.
Pika të tjera bëjnë thirrje për një armëpushim, bisedime paqeje, mbrojtje për të burgosurit e luftës dhe ndalimin e sulmeve ndaj civilëve, si dhe mbajtjen e centraleve bërthamore të sigurta dhe lehtësimin e eksporteve të grurit.
Putini ka thënë se pret që Xi ta vizitojë Rusinë në muajt e ardhshëm. Kina ende nuk e ka konfirmuar këtë.
Blinkeni ka thënë se Kina “po përpiqet të mbajë të dyja anët”.
“Publikisht, ata e paraqesin veten si një vend që përpiqet për paqen në Ukrainë, por privatisht, siç thashë, ne kemi parë tashmë gjatë muajve të fundit dhënien e ndihmës jovdekjeprurëse që shkon drejtpërdrejt në ndihmën dhe nxitjen e përpjekjeve luftarake të Rusi”, ka thënë Blinkeni.