Themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është parakusht për Kosovën që të bëjë progres në rrugën drejt Bashkimit Evropian, ka deklaruar Komisioneri për Zgjerim dhe Fqinjësi i Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi.
Diplomati evropian bëri këtë deklaratë në rrjetin social Twitter pas takimit që pati të enjten në Mitrovicë të Veriut me kryetarin e Listës Serbe, Goran Rakiq.
Gjatë ditës, Varhelyi u takua edhe me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, derisa pas takimit e theksoi se Kosova dhe Serbia duhet të zbatojnë të gjitha obligimet.
“Tani është esenciale që të dyja palët të ofrojnë dhe t’i zbatojnë gjitha obligimet pa vonesa, pasi që duhet të shfrytëzohet momentumi dhe të ecet përpara me zbatimin e marrëveshjes. Natyrisht, mjafton të përmenden konkluzionet e Këshillit të Bashkimit Evropian, ku i nxit të dyja palët që të zbatojnë plotësisht dhe pa kushte të gjitha obligimet që janë marrë përsipër, përfshirë edhe marrëveshjen e viteve 2013-2015 për Asociacionin”, ka thënë ai, transmeton KOHA.
Lexo më shumë këtu