Kryeparlamentari i Kosovës, Glauk Konjufca, ka deklaruar të mërkurën se nuk do të pranohet asnjë model nga dialogu me Serbinë që do të rrezikonte shtetin kosovar.
Në një takim me Këshillin e Ambasadorëve Amerikanë, të kryesuar nga Timothy Chorba, Konjufca tha se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar në gjetjen e një zgjidhjeje të përbashkët në dialogun Kosovë-Serbi.
“Qeveria e Republikës së Kosovës është jashtëzakonisht e përkushtuar ndaj dialogut dhe gjetjes së zgjidhjes më të mirë për qytetarët e të dyja shteteve, por assesi, në asnjë rrethanë nuk do të pranohen modele që rrezikojnë shtetin dhe lirinë e qytetarëve të Kosovës”, tha ndër të tjera Konjufca, bëhet e ditur në një komunikatë për media, transmeton KOHA.
Referuar ndihmës që Kosova ka përfituar ndër vite nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet demokratike evropiane, Konjufca u shpreh se Kosova është projekti më i rëndësishëm i faktorit ndërkombëtar i fundshekullit 20-të, i cili rezultoi me ndaljen e gjenocidit dhe trasoi rrugën drejt pavarësisë së Kosovës.
Edhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar me delegacionin amerikan.
Para ambasadorëve dhe mysafirëve të tyre, siç u bë e ditur nga qeveria, Kurti tha se ShBA-të janë partner, mik dhe aleat kyç i Kosovës.
Ai i njoftoi ata për progresin ekonomik dhe demokratik të vendit si dhe për bashkëpunimin në rritje ndërmjet dy vendeve, duke veçuar këtu marrëveshjen prej 236.7 milionë dollarë me MCC-në të nënshkruar në vitin e kaluar dhe strehimin e refugjatëve afganë në Kosovë.