Kryeparlamentari i Kosovës Glauk Konjufca është duke vizituar Shqipërinë dhe gjatë ditës së hënë ka zhvilluar takime me politikanë shqiptarë, ndë ta edhe me homologun Gramoz Ruçi.
Pas takimit, Konjufca theksoi nevojën e ndihmës së Shqipërisë për procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
“Do të përballemi në një dialog të vështirë me Serbinë, meqenëse ndërkombëtarët e kanë definuar atë si faza përfundimtare dhe që duhet të marrë formën e një marrëveshje finale. Na duhet një koordinim i thellë dhe i ngushtë me Shqipërinë që Kosova të mos dëmtohet nga një marrëveshje e tillë”, ka thënë Konjufca, transmeton ABCNews.
Ai ka theksuar edhe procesin gjyqësor në Hagë ndaj drejtuesve të UÇK-së dhe sfidat e tjera, për të cilat ka bashkëbiseduar me kryetarin Ruçi.
Ndërkohë, pas takimit me Presidentin shqiptar Ilir Meta, u tha se Shqipëria mbështet dialogun dhe normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
“Është e rëndësishme, që të gjitha forcat politike të Kosovës, të jenë të bashkuara rreth një platforme gjithëpërfshirëse në këtë proces”, është shprehur Meta.